Mbrojtja nga fatkeqësitë, Agjencia e Mbrojtjes Civile nënshkruan marrëveshjen me UNDP-në
2024-01-12 11:26:31

Mbrojtja nga fatkeqesite (Foto Astsh)

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe “UNDP Albania” nënshkruan marrëveshjen për forcimin e sistemit kombëtar për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë.

Përmes një njoftimi zyrtar, Agjencia bëri të ditur se synimi i marrëveshjes është rritja e kapaciteve të mbrojtjes civile në të gjithë vendin, përmes trajnimit të stafit, përgatitjes për emergjencat civile dhe ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve të mbrojtjes civile, shkruan “ATSH”.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka nënshkruar një marrëveshje financimi me “UNDP Albania”, që synon forcimin e burimeve financiare të programit “RESEAL- Forcimi i aftësive ripërtëritëse” dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të sistemit kombëtar për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile”,- thuhet në njoftim.

Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako, deklaroi se ky financim i qeverisë shqiptare është një dëshmi e qartë e angazhimit për të ndërtuar një vend më të sigurt dhe të përgatitur për çdo sfidë.

Monica Merino, përfaqësuese e përhershme e PNUD-it, theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara drejt forcimit të aftësive mbrojtëse nga fatkeqësitë, falë punës dhe impenjimit të të gjitha strukturave të koordinuara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

“Vijueshmëria e këtij partneriteti strategjik synon të rrisë më tej kapacitetet e mbrojtjes civile në të gjithë vendin, përmes trajnimit të stafit, përgatitjes për emergjencat civile dhe ndërgjegjësimit të të gjithë aktorëve të mbrojtjes civile. Projekti “Forcimi i aftësive ripërtëritëse në Shqipëri- RESEAL”, i mbështetur financiarisht nga qeveritë e Suedisë dhe Portugalisë, ka nisur që prej vitit 2020”, përfundon njoftimi. (Irma)