Finlanda do të zgjasë më tej mbylljen e kufirit me Rusinë
2024-01-12 11:07:49

Foto RTSH

Finlanda do të zgjasë më tej mbylljen e kufirit të saj me Rusinë, vendim i cili ishte caktuar të përfundonte më 15 janar, deklaroi ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Sari Essayah, shkruan “RTSH”.

Mediat finlandeze kishin raportuar më parë se qeveria do ta zgjaste masën.

Finlanda e mbylli kufirin për të ndaluar një numër në rritje të azilkërkuesve që të hynin në vend, duke akuzuar Rusinë se kishte orkestruar fluksin e njerëzve, akuzë që Kremlini e mohon.

Në nëntor 2023, Finlanda njoftoi për mbylljen e pikës së fundit kufitare me Rusinë, me arsyetimin se vendi fqinj po i shfrytëzon emigrantët si pjesë e një lufte hibride për destabilizimin e vendit nordik, pas anëtarësimit të tij në NATO.

Presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi në dhjetor 2023 për probleme të paspecifikuara me Finlandën dhe ka thënë se ka urdhëruar krijimin e një distrikti të ri ushtarak në rajonet kufitare me shtetin nordik.

Finlanda hoqi dorë nga politika e saj e neutralitetit pas nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në shkurt 2022 dhe vitin e kaluar u bë anëtarja e 31-të e NATO-s.

Tashmë, Finlanda ka rritur numrin e njësiteve ushtarake në misione trajnime dhe ka lejuar aeroplanët e NATO-s që të patrullojnë zonën ajrore, veprim që e ka zemëruar Rusinë. (Irma)