Gjyqi civil në Nju Jork, Trump: Nuk kam bërë asgjë të gabuar
2024-01-12 21:27:48

Ish-Presidenti Donald Trump i tha të enjten një gjykatësi në Nju Jork, se ai "nuk ka bërë asgjë të gabuar". Komentet zoti Trump i bëri në një gjyq civil, i akuzuar për mashtrim me të dhënat financiare të bizneseve të tij, një proces që rrezikon perandorinë e biznesit të ish-presidentit. Të enjten palët paraqitën argumentet përmbyllëse.

Foto:VCG

Foto:VCG

Zoti Trump bëri një deklaratë nga tavolina e tij e mbrojtjes, pasi avokatët e tij, përfunduan argumentet mbi këtë çështje.

“I nderuar gjykatës, shikoni, unë nuk kam bërë asgjë të keqe. Ata duhet të më paguajnë mua”, tha zoti Trump.

Gjyqtari Arthur Engoron, i kërkoi avokatëve të tij që të vendosnin nën kontroll klientin e tyre, duke iu referuar ish-presidentit.

Gjyqi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie për shkak të një kërcënimi ndaj gjyqtarit të çështjes, Arthur Engoron. Zëdhënësi i gjykatës nuk dha detaje të mëtejshme mbi kërcënimin.

Prokurorët kërkojnë vendosjen e një gjobe prej 370 milionë dollarësh ndaj ish-presidentit, të cilin e akuzojnë se ka mbivlerësuar vlerën neto të pasurive të tij për të përfituar kredi nga bankat.

Në padinë e Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James thuhet se zoti Trump dhe bashkëpunëtorët e tij, e kanë fryrë vlerën pasurive me miliarda dollarë, me qëllimin për të siguruar për më shumë se një dekadë, kushte më të mira kredie dhe përfitime të tjera financiare.

Procesi civil i Nju Jorkut është një nga problemet e shumta ligjore me të cilat përballet zoti Trump ndërsa bën fushatë për të sfiduar Presidentin Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.