Banka e Shqipërisë do të rrisë me 25% rezervat valutore
2024-01-11 11:44:44

Foto ATSH

Banka e Shqipërisë parashikon që gjatë tre viteve në vijim të rrisë me 25% rezervat valutore në totalin e pothuajse 7.2 miliardë eurove, si një instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura me deficitin e llogarisë korrente. Sipas BSH-së, rezerva valutore shërben për të përmbushur nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm dhe për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit, bën të ditur “ATSH”.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të 9-mujorit 2023 rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 5.73 miliardë eurove. Vlera e mjeteve të rezervës valutore është rritur me 13.3%, ose 671 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë organizon rregullisht ankande për blerje valute, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Këtë vit, Banka e Shqipërisë ka planifikuar blerje në tregun e brendshëm valutor në një interval midis 220 dhe 300 milionë eurove. (Elona)