Rritja mesatare e çmimeve në 2023-shin, 4.8%
2024-01-11 10:48:53

Foto ATSH

Rritja mesatare vjetore e çmimeve në Shqipëri në vitin 2023 ishte 4.8%, nga 6.7% që ishte në vitin 2022.

Instituti i Statistikave publikoi të mërkurën Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit inflacioni shkoi në 4% në muajin dhjetor duke shënuar një rritje të lehtë me 0.5% krahasuar me muajin nëntor, por 3.6% më i ulët krahasuar më muajin dhjetor të vitit 2022, përcjell “ATSH”.

“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2023 është 4%, një vit më parë ky ndryshim ishte 7.4%. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2023, krahasuar me nëntorin 2023, ishte 0.5%. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4.8% nga 6.7% që ishte në vitin 2022”,- thuhet në raportin e INSTAT-it.

Krahasuar me muajin dhjetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 6.7%, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” me 5.4%, “mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.6%, “hotele, kafene dhe restorante” me 4.4%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit të transportit shënuan ulje me 3.3%. (Elona)