BE ka dhënë 250 milionë euro për programet kombëtare në Shqipëri
2024-01-11 14:24:27

Foto ATSH

Bashkimi Evropian, gjatë dy viteve të fundit, ka dhënë më shumë se 250 milionë euro financime, si pjesë e fondeve të para-anëtarësimit për programet kombëtare në Shqipëri.

Zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë ndau në rrjete sociale disa statistika në sektorët që janë mbështetur teksa theksoi se Bashkimi Evropian është partneri më i madh i asistencës financiare për Shqipërinë, citon “ATSH”.

Totali i investimeve të huaja direkte të BE-së arriti në rreth 11 miliardë euro në vitin 2022. Ndërsa vëllimi total i tregtisë në mallra me BE-në ishte 7.1 miliardë euro në vitin 2022.

Krahas programeve ekonomike, BE-ja i kushton një vëmendje të madhe kapitalit njerëzor. Në këtë kuadër, BE është fokusuar në mbështetjen për rininë, arsimin dhe inovacionin.

11.500 vetë morën pjesë në shkëmbime mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e arsimit, trajnimit dhe rinisë e sportit në kuadër të ERASMUS 2014-2020.

Në objektivat e BE-së për vitin 2030, pritet të rehabilitohen 185 km linja hekurudhore, të përmirësojë shërbimet e ujit dhe ato higjienike për mbi 975.000 banorë, të pajisin 627 shkolla me laboratorë “smart” për 198.000 nxënës në vit. (Elona)