Qeveria gjermane miraton pr.ligjin me masat për të reduktuar barrën mbi buxhetin federal
2024-01-11 11:14:02

Foto RTSH

Qeveria gjermane ka arritur një marrëveshje për masat shtrënguese shtesë për të reduktuar barrën mbi buxhetin federal për vitin 2024. Projektligji për financimin e buxhetit, ndër të tjera, përfshin uljen e diskutueshme të subvencioneve të naftës për fermerët, taksat më të larta për trafikun ajror dhe sanksione më të rrepta në fushën e ndihmës sociale për të papunët, shkruan “RTSH”. 

Këto masa kursimi janë të nevojshme, sepse, sipas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, qeveria duhet të kompensojë një mungesë financiare prej rreth 30 miliardë eurosh në buxhetin bazë, si dhe në fondin e klimës dhe transformimit. 

Qeveria gjermane i qëndroi vendimit për uljen shumë të diskutueshme të subvencioneve në sektorin e bujqësisë, pavarësisht protestave të fermerëve. Bëhet fjalë për heqjen graduale të stimujve tatimorë për naftën. Sipas qeverisë, ky është një kontribut i veçantë për uljen e subvencioneve që dëmtojnë klimën. Deri më tani fermerët kanë mundur të marrin një rimbursim të pjesshëm të taksës së energjisë për naftën, me kompensim prej 21.48 cent për litër. 

Këtë vit, shkalla e subvencioneve do të ulet me 40 për qind, ndërsa në vitin 2025 dhe 2026 me 30 për qind shtesë. Nga viti 2026, këto subvencione nuk duhet të ekzistojnë më. 

Përveç kësaj, do të hiqet edhe i ashtuquajturi bonusi i ndihmës sociale prej 75 euro në muaj, i cili është futur për trajnimin e mëtejshëm të të papunëve. Pritet që kjo të sjellë kursime shtesë prej 100 milionë eurosh. Trajnimet që synojnë marrjen e diplomës profesionale do të vazhdojnë të mbështeten me 150 euro në muaj. 

Po ashtu, nga maji do të rriten taksat për biletat e fluturimeve me avion. Në varësi të destinacionit përfundimtar të udhëtimit, biletat duhet të rriten me pothuajse një të pestën - nga 15.53 deri në 70.83 euro për pasagjer. Taksa e biletës do të paguhet për të gjithë pasagjerët që nisen nga aeroportet gjermane. Tarifat shtesë do të duhet të paguhen nga kompanitë ajrore, por ato do të mund t'ua kalojnë këto taksa pasagjerëve. Nisur nga kjo, qeveria gjermane këtë vit pret të ardhura shtesë prej rreth 400 milionë eurosh. (Elona)