Hungaria mund të heqë veton për paketën europiane të ndihmave për Ukrainën
2024-01-10 11:47:59

Viktor Orban (Foto Businessinsider)

Hungaria mund të heqë veton që i vendosi muajin e shkuar paketës europiane të ndihmave për Ukrainën, nëse financimet për Ukrainën rishikohen çdo vit.   

Gazeta “Politico”, cituar nga “RTSH”, raportoi se nëse Këshilli i Europës bie dakord të miratojë financimet për Ukrainën në bazë vjetore, kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili bllokoi paketën europiane me vlerën e 50 miliardë eurove, mund të heqë veton që vendosi ndaj saj.  

Këtë propozim Hungaria e paraqiti gjatë një takimi të ekspertëve buxhetorë të BE-së që u mbajt javën e kaluar dhe që i është paraqitur presidencës belge të këshillit. Por, nëse ky propozim pranohet nga vendet e bllokut, ai mund t’i japë Orbanit pushtetin që të bllokojë çdo vit financimet europiane.  (Elona)