Anketa: 29 për qind e punëtorëve shqiptarë punojnë në mjedise ekstreme
2024-01-10 17:01:13

Foto Panorama

Dy në pesë punëtorë shqiptarë ngrenë ose mbajnë sende të rënda, ndërsa një pjesë më e vogël punojnë në mjedise ekstreme, teksa gati gjysma i përdorin duart si mjetin kryesor në punë. Këto janë gjetjet e anketës europiane për arsimin dhe lidhjet e tij me tregun e punës në Shqipëri, citon “Panorama”.

Sipas rezultateve të anketës, 39% e shqiptarëve të punësuar kanë raportuar se kanë ngritur ose mbajtur objekte të rënda, ngarkesa ose njerëz, pa ndihmën e një makinerie në kohën kur u zhvillua anketa në fillim të vitit 2023. Gjithashtu tre në dhjetë (29%) shqiptarë të anketuar raportojnë se punojnë në një mjedis me nxehtësi ose temperatura shumë të ftohta, kimikate ose pjesë të rrezikshme, afërsisht në linjë me mesataren e BE-së (27%) dhe 5 vende të Ballkanit Perëndimor (32%).

Për më tepër, afro gjysma (46%) e shqiptarëve thonë se përdorin duart për të kapur, për të manipuluar ose për të montuar saktësisht objektet (përjashtuar maus-in e kompjuterit, shtypjen në tastierë ose shkrimin e dorës) afërsisht në përputhje me mesataren e rajonit (51%), por dukshëm më shumë se në BE (38%).

Të punësuarit me arsim të nivelit të ulët dhe të mesëm janë më të ekspozuar ndaj ngritjes së peshave, ndërkohë që vetëm 15% e atyre me arsim të lartë deklarojnë se e kanë bërë këtë.

Më shumë se gjysma e punëtorëve në profesionet që lidhen me punë manuale dhe elementare (përkatësisht 53% dhe 50%) pohuan se ngrenë pesha krahasuar me 30% të atyre në profesione gjysmë të kualifikuara dhe 18% të atyre në profesione të kualifikuara.

Ngritja e objekteve dhe ngarkesave është gjithashtu më e zakonshme tek të anketuarit që punojnë në bujqësi ose industri (50%), ndërsa vetëm 36% të atyre që punojnë në shërbime dhe 22% e të anketuarve nga sektori publik, arsimi apo shëndetësia ngrenë objekte gjatë orarit të punës. (Elona)