Francë – 34-vjeçari Gabriel Atal, kryeministri më i ri në historinë e vendit
2024-01-10 10:57:22

Gabriel Atal dhe Emanuel Macron (Foto RTSH)

Presidenti francez Emanuel Macron emëroi të martën 34-vjeçarin Gabriel Atal në postin e kryeministrit. Atali bëhet kështu kryeministri më i ri në historinë moderne franceze, shkruan “RTSH”.  Atal zëvendësoi në këtë post Elisabeth Borne, e cila hoqi dorë nga pushteti pas 20 muajsh.

Kryeministri i ri aktualisht është ministër i Arsimit dhe e merr drejtimin e qeverisë franceze në momentin vendimtar para zgjedhjeve të rëndësishme të Parlamentit Europian në muajin qershor.

Ai ka avancuar shpejt në politikë: dhjetë vjet më parë si këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në vitin 2017 ra në syrin e presidentit për cilësitë e tij si debatues. Në vitin 2020 ai u bë edhe zëdhënës i qeverisë dhe korrikun e kaluar kryesoi Arsimin.

Në krye të qeverisë franceze, Atali pritet të përballet me të njëjtat sfida si paraardhësja e tij: opozitën e cila po fiton popullaritet dhe mund të fitojë zgjedhjet europiane të qershorit dhe një Kuvend kombëtar pa shumicën e sigurt. (Elona)