Shkodër, dyndje turistësh të huaj në kalanë e Rozafës, mes tyre edhe shtetas kinezë
2024-01-10 16:15:42

Foto RTSH

Kalaja e Rozafës është një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët, vendas dhe të huaj. Vetëm në ditët e para të janarit, mbi 1 mijë vizitorë e kanë parë nga afër këtë sit arkeologjik. Vizitorët janë kryesisht nga Lezha, Tirana, Kosova, por nuk mugojnë edhe të huajt, deri nga Kina e largët, bën të ditur “RTSH”.

“Vij nga Pekini dhe lashtësia e këtij objekti më krijon ndjesinë sikur jam në vendin tim, pasi kemi shumë të tilla dhe kujdesemi për to. Një emocion i vërtetë vizita këtu dhe sigurisht pamja është fantastike, pasi nga këtu ku jemi shikohet i gjithë qyteti. Më ka pëlqyer shumë Shkodra dhe do t’ua rekomandoj edhe miqve të mi”,- tha një turiste.

Muzeu i kështjellës është një tjetër pikë e rëndësishme e saj pasi aty vizitorët kanë mundësinë të njihen nga afër me dëshmi dhe artefakte të banimit të Shkodrës në periudha të ndryshme historike.

Kalaja e Rozafës theu rekord vizitueshmërie në vitin 2023, kur u regjistruan 125.737 vizitorë, ose 31.447 më shumë se në vitin 2022. (Elona)