Mijëra turistë vizituan Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë në vitin 2023
2024-01-09 11:11:04

Foto Rtsh

Mbi 30 mijë vizitorë kanë treguar interes për t’u njohur me pasurinë që mbart Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë.

Gjatë ditëve të festave të fundvitit, ka pasur mbi 100 të tillë në ditë që kanë vizituar këtë muze, i cili ka në fondin e tij gati 8 mijë objekte të ndryshme, shkruan “RTSH”.

“Viti 2023 shënoi dhe numrin më të madh të vizitorëve që muzeu ka pasur, mbi 30 mijë. Shumica ishin të huaj, por nuk mungon as interesi në rritje nga vizitorët shqiptarë”,- deklaroi drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti.

Edhe në ditët e para të këtij viti, ky muze shfaq interes, kryesisht për vizitorë të huaj.

Koleksioni i ikonave të këtij muzeu është më i madhi në numër dhe më interesanti në vlera historike, fetare dhe artistike në Shqipëri e më gjerë. (Fatosi)