Akuza për parregullsi në votime, presidenti Vuçiç: Zgjedhjet në Beograd mund të përsëriten
2024-01-09 12:13:41

Foto Rtsh

Zgjedhjet e 17 dhjetorit 2023 janë kontestuar nga opozita në Serbi, por dhe ndërkombëtarët kanë adresuar disa parregullsi në ditën e votimit, njofton “RTSH”.

Pas protestave masive në lidhje me procesin e parregullt elektoral në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç duket se ka bërë një hap pas. Ai ka deklaruar në mediat vendase se zgjedhjet për bashkinë e Beogradit mund të përsëriten dhe pritet që në ditët në vijim të merret një vendim.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” kërkon anulimin e rezultateve të zgjedhjeve të 17 dhjetorit në të tre nivelet (parlamentar, provincial dhe komunal), pasi akuzon Vuçiçin dhe Partinë Progresive (SNS) në pushtet për mashtrim zgjedhor.

Që nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme në Serbi, opozita ka kundërshtuar përmes protestave dhe grevave fitoren e partisë së Vuçiç.

Po ashtu faktori ndërkombëtar ka theksuar se ka hasur parregullsi në procesin zgjedhor në Serbi. (Fatosi)