Shefi i OBSH-së: Spitali kryesor i Gazës duhet të mbetet funksional
2024-01-09 10:55:44

Foto Rtsh

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se spitali kryesor i Gazës duhet të mbetet funksional, edhe pse disa organizata ndihmash tërhoqën stafin mjekësor duke përmendur rritjen e aktivitetit ushtarak izraelit në zonë, shkruan “RTSH”.

Shefi i OBSH-së tha se Spitali Al-Aksa në qytetin e Deir al-Balah është spitali më i rëndësishëm që ka mbetur në zonën qendrore të Gazës dhe kërkoi që pacientët dhe familjet e vendosura në mjediset e tij të mbrohen nga armiqësitë e vazhdueshme.

“Tre muaj pas këtij konflikti, është e paimagjinueshme që kjo nevojë më thelbësore, mbrojtja e kujdesit shëndetësor, mos të sigurohet”,- tha ai.

Grupet e ndihmës Ndihma Mjekësore për Palestinezët (MAP) dhe ekipi mjekësor i urgjencës i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit (IRC) njoftuan tërheqjen e tyre nga Spitali Al-Aksa, pasi ushtria izraelite hodhi fletushka në qendër të Gazës duke urdhëruar palestinezët të evakuoheshin në strehëza në zonë.

“Mjekët pa Kufij” njoftuan se do të evakuojnë stafin e tyre që punon në Al-Aksa për shkak të zjarrit të artilerisë në zonë.

Sipas tij, asnjë spital nuk është duke funksionuar plotësisht në Gazën veriore dhe vetëm një pjesë e vogël e objekteve shëndetësore diku tjetër në territor ishin funksionale.

Ai tha se përfaqësuesit e OBSH-së dhe Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, të cilët vizituan Spitalin Al-Aksa të dielën, panë një numër të madh njerëzish të plagosur që silleshin për trajtim urgjent.

Tedros tha se urdhrat e evakuimit dhe mungesa e sigurisë kishin detyruar shumicën e stafit mjekësor të largohej. (Irma)