Shoqata “ABTA” vendos Shqipërinë në listën e 10 vendeve për t'u vizituar
2024-01-08 10:53:21

Foto nga VCG

Shoqata britanike e turoperatorëve dhe udhëtimeve “ABTA” ka përfshirë Shqipërinë në listën e 10 destinacioneve që u sugjeron qytetarëve britanikë për të udhëtuar gjatë 2024-s, njofton “ATSH”.

Në raportin e fundit “10 Destinations to Watch in 2024” që ABTA ka lançuar me qëllim për të frymëzuar, informuar dhe prezantuar trendet e udhëtimit për këtë vit, për herë të parë listës i është shtuar edhe Shqipëria.

“Besoj se është një sukses i shqiptarëve dhe Shqipërisë që na rrit më shumë”,- deklaroi lidhur me këtë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“ABTA” është një prej shoqatave më të njohura të turoperatorëve britanikë me 70 vjet eksperiencë që grumbullon mbi 8000 kompani turistike britanike.

Gjatë vitit 2023 Shqipëria ka qenë në një fokus intensiv të titujve promovues nga mediat britanike, një trend që po vazhdon edhe në ditët e para të 2024-s nga media si “Daily Mail” dhe “The Mirror”. (Fatosi)