Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Japoni
2024-01-08 14:49:31

Foto nga VCG

Ekipet e shpëtimit i kanë përqendruar përpjekjet e tyre në gjetjen e viktimave nën rrënojat e ndërtesave më shumë sesa në gjetjen e të mbijetuarve, pesë ditë pas tërmetit me magnitudë 7.6 që goditi Japoninë.

Numri i viktimave nga tërmetet ka arritur në të paktën 126 persona, ndërsa 210 persona ende konsiderohen të zhdukur, thanë autoritetet lokale, citon “Panorama”.

Përpjekjet e mijëra punëtorëve të shpëtimit janë penguar nga moti i keq me  reshje bore, rrugët e shkatërruara, por edhe nga rrëshqitjet e shumta të dheut.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida, shprehu ngushëllime për viktimat.

Gjatë një mbledhjeje urgjente të qeverisë, ai u kërkoi ministrave që në mënyrë urgjente të riparojnë dëmet në rrugë, në mënyrë që të ndihmohen qindra njerëz që kanë mbetur të bllokuar në zonat e goditura nga tërmetet. (Fatosi)