Hyn në fuqi rregullorja për raportimin periodik për investimet në tituj
2024-01-07 15:17:24

Investimet ne tituj (Foto Atsh)

Investimet ne tituj (Foto Atsh)

Nga 1 janari ka hyrë në fuqi rregullorja e re “Për përcaktimin e formës dhe përmbajtjes së raportimit periodik të shoqërive komisionere, bankave që ofrojnë shërbime investimi në tituj dhe institucioneve të tregut”. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e miratoi këtë rregullore në muajin nëntor të vitit të kaluar.

Rregullorja ka për qëllim të përcaktojë formën, përmbajtjen dhe afatet kohore të raportimit periodik pranë autoritetit të të dhënave lidhur me veprimtarinë e subjekteve të mësipërme për efekte të mbikëqyrjes dhe statistikave, shkruan “ATSH”.

Institucionet financiare që janë subjekt i kësaj rregulloreje duhet të depozitojnë pranë AMF-së pasqyrat financiare vjetore të certifikuara nga një auditues ligjor i miratuar, si edhe informacione dhe raporte periodike. Subjektet duhet të paraqesin në AMF pasqyrat financiare brenda katër muajve nga data e mbylljes së vitit ushtrimor.

Ndërkohë, shoqëritë komisionere dhe bankat që kryejnë transaksione në tituj duhet të raportojnë në autoritet detaje të plota dhe të sakta të këtyre transaksioneve sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se fundi i ditës tjetër të punës.

Transaksionet me tituj të qeverisë shqiptare duhet të raportohen përmes platformës të administruar nga AMF. Tregu i rregulluar (bursa) duhet të depozitojë në autoritet një raport ditor, i cili përmban të dhëna për transaksionet me tituj të kryera në tregun përkatës. Gjithashtu, bursa duhet t’i mundësojë autoritetit akses në sistemin e tregtimit në kohë reale. Subjektet raportuese janë përgjegjëse për saktësinë e të dhënave të raportuara prej tyre. Nëse autoriteti konstaton se të dhënat e raportuara janë të pasakta, kërkon korrigjimin e tyre nga subjekti përkatës raportues dhe përsëritjen e raportimit pas korrigjimeve.

Ligji parashikon që subjekti mund të ndëshkohet me gjobë nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë, në rastet kur nuk dorëzon në AMF pasqyrat financiare, raportet vjetore ose raportin e auditimit, si edhe në përgjithësi ose kur pengon autoritetin në ushtrimin e kompetencave mbikëqyrëse. (Irma)