Presidenti bjellorus nënshkroi ligjin që i jep imunitet të përjetshëm kundër ndjekjes penale
2024-01-07 10:56:22

foto nga VCG

foto nga VCG

Presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, nënshkroi një ligj të ri që i jep atij imunitet të përjetshëm nga ndjekja penale dhe ndalon liderët e opozitës që jetojnë jashtë vendit për të kandiduar për kreun e shtetit.

Ligji, në teori, zbatohet për çdo ish-president dhe anëtarët e familjes së vet, por faktikisht më rëndësi ka për 69-vjeçarin Lukashenko, i cili e qeveris Bjellorusinë për gati 30 vjet, shkruan “RTSH”.

Ligji shtrëngon ndjeshëm kërkesat për kandidatët për president dhe e bën të pamundur zgjedhjen e liderëve të opozitës që u larguan në vendet fqinje vitet e fundit. Të drejtën për kandidim për kryetar shtetit e kanë vetëm qytetarët bjellorusë të cilët kanë jetuar në vend për të paktën 20 vjet dhe nuk kanë pasur një leje qëndrimi në një vend tjetër.

Sipas ligjit të ri, Lukashenko, nëse do ta linte pushtetin, nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e kryera në lidhje me ushtrimin e pushtetit presidencial.

Ligji gjithashtu thotë që presidenti dhe anëtarët e familjes së tij do të pajisen me mbrojtje të përjetshme të shtetit, kujdes mjekësor, sigurim të jetës dhe shëndetësor. Pas dorëheqjes, presidenti mund të bëhet gjithashtu anëtar i përhershëm i Dhomës së Lartë të Parlamentit. (Irma)