Banka e Shqipërisë miratoi strategjinë afatmesme të zhvillimit 2024-2026
2024-01-07 10:41:58

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Banka e Shqipërisë miratoi strategjinë afatmesme të zhvillimit 2024-2026. Përmes kësaj strategjie, Banka Qendrore parashikon të vlerësojë efektivitetin e gamës së instrumenteve në dispozicion, me synim përdorimin e tyre për arritjen e objektivit të inflacionit.

Në kushtet e zhvillimeve aktuale, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e fleksibilitetit në përdorimin e instrumenteve mundëson adresimin e sfidave të reja me përqasjet e duhura, duke ndihmuar në funksion të përmbushjes së objektivave të politikës monetare dhe inflacionit, citon “ATSH”.

Gjithashtu në këtë strategji parashtrohen objektiva për: përmirësimin e administrimit fizik të vlerave monetare; diversifikimin e instrumenteve të investimit; përafrimin metodologjik me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin europian; administrimi i integruar i të dhënave; rritja e kapacitetit dhe dobishmërisë së projekteve kërkimore; modernizimi dhe siguria e teknologjisë së informacionit; forcimi i rolit të Sistemit të Kontrollit të Brendshëm në përmbushjen e objektivave ligjore dhe respektimin e politikave të drejtimit.

Strategjia shërben gjithashtu si një kornizë e përgjithshme dhe udhëzues për përgatitjen e tre viteve të buxhetit, duke përdorur qasjen e menaxhimit të bazuar në rezultate. (Irma)