Paketa e re fiskale, gjobat bëhen proporcionale në bazë të dëmit
2024-01-07 15:18:36

Biznes ne Shqiperi (Foto Atsh).jpg

Biznes ne Shqiperi (Foto Atsh).jpg

Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, të miratuara si pjesë e paketës së re fiskale që do të zbatohet këtë vit, përcaktojnë një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

Gjithashtu, sqarohen procedurat që kanë të bëjnë me marrëveshjet e eliminimit të taksimit të dyfishtë, në mënyrë që të ketë me tepër miradministrim në këtë fushë.

Përmes ndryshimeve propozohet rregullimi i formës së llogaritjes së dënimit për mospagimin e kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe mbi të ardhurat personale, në përputhje me parimin e proporcionalitetit, në bazë të të cilit dënimi duhet të jetë në përputhje me efektin që ka prodhuar në buxhetin e shtetit mospagimi në afat i detyrimit tatimor, duke vendosur llogaritjen e gjobës si për të gjitha detyrimet e tjera tatimore të papaguara, në masën 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, për një periudhë jo më të gjatë se 365 ditë kalendarike, citon “ATSH”.

Në të njëjtën linjë vijon parimi i ruajtjes së proporcionalitetit të dënimeve, në përputhje me shkeljen tatimore, lidhur me shkeljet për moslëshimin e faturave e të faturave shoqëruese nga tatimpaguesi. Kështu, përcaktohet se për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në, përveç masës së gjobës, bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit. (Irma)