Gjermania dërgon një paketë të re ushtarake për Ukrainën
2024-01-07 15:27:27

foto nga VCG

foto nga VCG

Gjermania ka dërguar një paketë të re ushtarake në Ukrainë, e cila përfshin raketa të mbrojtjes ajrore, automjete luftarake të këmbësorisë, radarë, kamionë dhe pajisje të tjera.

“Lista e ndihmave ushtarake u përditësua në faqen e internetit të qeverisë federale gjermane”,- njoftoi agjencia ukrainase e lajemve “Ukrinform”, citon “ATSH”.

Gjermania furnizoi Ukrainën me sistemin e mbrojtjes ajrore “Skynex” me municion, raketa për sistemin e mbrojtjes ajrore IRIS-T SLM, municione për tanket “Leopard 2 A6” dhe pothuajse 10.000 fishekë artilerie 155 mm.

Ukraina mori gjithashtu 305 pushkë sulmi “MK 556”, 750.000 fishekë municion armësh zjarri dhe më shumë se 1000 rrjeta kamuflazhi dimëror.

Në vitin 2023, Gjermania transferoi ndihmë ushtarake në vlerë prej rreth 5.4 miliardë euro në Ukrainë dhe u zotua të ofrojë ndihmë me vlerë rreth 10.5 miliardë euro në vitet e ardhshme. (Irma)