DPSHTRR: 2.74 milionë mjete të huaja kanë hyrë në Shqipëri në 2023-shin
2024-01-07 10:43:29

Tirana (Foto Zjarrtv)

Tirana (Foto Zjarrtv)

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor publikoi statistikat e qarkullimit rrugor, ndërsa vuri në dukje se kryefjala e vitit 2023 ka qenë rritja e ndjeshme e turizmit, duke ndikuar në rritjen e numrit të mjeteve në lëvizje dhe trafikut rrugor.

Sipas të dhënave të publikuara nga DPSHTRR-ja, për vitin 2023, 2.74 milionë mjete të huaja kanë hyrë në territorin shqiptar, duke i shtuar trafikut rrugor në Shqipëri +30,034 mjete në ditë në qarkullim.

Flota aktive e mjeteve vendase dhe të huaja në total llogaritet në 897,833 mjete ose 51% më shumë krahasuar me vitin 2018, shkruan “ATSH”. Shkalla e motorizimit në Shqipëri është 314 mjete për 1,000 banorë ose 55% më shumë krahasuar me vitin 2018.

Gjithashtu është rritur numri i targimeve të reja me +78,157 mjete, +30% krahasuar me 2018-n si dhe numri i kilometrave të përshkuara në vit u rrit 92% krahasuar me 2018-n.

Pavarësisht fluksit të shtuar në rrugët e Shqipërisë, në krahasim me vitin 2018, numri i aksidenteve rrugore është ulur me -22.4%.

Sipas DPSHTRR-së, numri i viktimave nga aksidentet rrugore është ulur me 10.3%. Numri i qytetarëve të përfshirë në aksidente rrugore është ulur me 27.3%. DPSHTRR-ja bën të ditur se rezultatet pozitive janë arritur falë punës, ndërsa numri i aksidenteve rrugore është ulur në sajë të nismave të ndërmarra për kulturë trafiku, me aktivitete e programe edukative anembanë vendit; kontroll rrugor më efikas dhe masa më të forta e transparente; leje drejtimi më të merituara; mjete rrugore më të sigurta; rrugë dhe sinjalistikë më e mirë. (Irma)