Qeveria shqiptare harton strategji të re për prokurimet publike
2024-01-06 15:45:51

foto nga VCG

foto nga VCG

Qeveria shqiptare ka hartuar një strategji të re kombëtare për prokurimin publik, i cili do të përfshijë periudhën 2024-2030, në kuadër të Planit të Veprimit 2024-2027. 

Prokurimi publik, në këtë rast, i referohet procesit në të cilin autoritetet/entet kontraktore blejnë mallra, punë ose shërbime nga operatorët ekonomikë, shkruan “RTSH”.

Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030, përfaqëson dokumentin themelor strategjik dhe merr parasysh kuadrin ligjor ekzistues dhe atë të pritshëm në përputhje me objektivat që duhen përmbushur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.  

Vizioni 2030 është garantimi i zbatimit të rregullave të legjislacionit në fushën e prokurimit publik. Në këto kushte, prioritet mbetet respektimi i parimeve të tilla si mosdiskriminimi, trajtimi i barabartë, mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive, rritja e transparencës etj., të ndërlidhura me luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e shëndetit dhe konsumatorit, etj.

“Strategjia Kombëtare për Prokurimin Publik 2024-2030, është në koherencë të plotë me objektivat ndërkombëtarë për zhvillim të qëndrueshëm, me kuadrin ligjor të BE-së në këtë fushë si edhe me angazhimet e ndërmarra nga pala shqiptare në takimet e përbashkëta me palën evropiane, etj.”, thuhet në dokuementin e hartuar nga qeveria.

Qëllimi kryesor i kësaj strategjie, sipas qeverisë, është garantimi i një sistemi prokurimi eficient dhe efektiv në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës së lirë dhe të ndershme, mos diskriminimit dhe trajtimit të barabartë, duke promovuar dhe nxitur një sistem të qëndrueshëm që garanton vlerën për para. (Irma)