Ministri Balla: Në vitin 2023, Shqipëria u certifikua si destinacion i sigurt turistik
2024-01-06 14:48:36

foto nga VCG

foto nga VCG

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndërsa bëri një analizë të punës në institucionin që ai drejton, e vuri theksin te siguria, duke e konsideruar 2023-shin një vit shumë të mirë në këtë drejtim.

Gjatë një dalje para mediave, ministri Balla tha se Shqipëria u vizitua nga mbi 10 milionë turistë dhe vendi u certifikua si destinacion i sigurt turistik, shkruan “RTSH”.

“Certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse është një lajm shumë i mirë. Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Siguria publike gjatë vitit 2023, ishte një test i rëndësishëm pasi e certifikoi vendin si një destinacion të sigurt turistik, me zero ngjarje kriminale të qëllimshme ndaj jetës së turistëve të huaj, të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar”,- tha ministri Balla.

Ministri u shpreh se ka filluar puna edhe për sezonin e ardhshëm turistik, teksa tha se si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë do të jetë edhe Forca Kombëtare e Sigurisë Publike.

“Sezoni i ri turistik 2024 do të ketë Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë në destinacionet kryesore turistike. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe agjencitë e tjera do të duhet të garantojnë plazhe të lira dhe bregdet të pastër, nga Velipoja deri në Ksamil”, theksoi Balla.  (Irma)