Deficiti buxhetor për 2024-n do të financohet i gjithi nga tregu i brendshëm
2024-01-05 10:49:34

Ministria e Financave (Foto Rtsh)

Ministria e Financave (Foto Rtsh)

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se në planin vjetor të huamarrjes për vitin 2024, deficiti vjetor do të financohet i gjithi nga huamarrja e brendshme dhe likuiditeti gjendje nga viti 2023.

Megjithatë, qeveria nuk e përjashton mundësinë e emetimit të një Eurbondi të ri në tregjet ndërkombëtare, shkruan “RTSH”.

Sipas shifrave, nga një deficit buxhetor i parashikuar prej rreth 61.3 miliardë lekësh, huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 81.6% të tij ose rreth 50 miliardë lekë.

Huamarrja neto e huaj pritet të jetë në nivele negative, ndërsa pjesa tjetër e deficitit parashikohet të financohet nga gjendja e mbartur e likuiditetit në vitin 2023.

Vlera totale e titujve që do të emetohen në tregun e brendshëm gjatë vitit 2024 pritet të jetë rreth 378.6 miliardë lekë. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë do të jenë bonot e thesarit 12-mujore, që do të përbëjnë rreth 52% të vlerës totale të emetimeve.

Në janar dhe shkurt, MFE parashikon të realizojë pothuajse 30% të volumit vjetor të huamarrjes për vitin 2024. (Irma)