Popullsia e plakur mbizotëron në tetë qarqe të Shqipërisë
2024-01-05 14:25:07

Berati (Foto Freepik)

Berati (Foto Freepik)

Tranzicioni demografik vit pas viti po e ndryshon popullsinë e vendit në favor të moshave të vjetra, teksa numri i të rinjve po bie nga rënia e lindjeve.

Në një raport të Institutit të Statistikave bëhet e ditur se në tetë qarqe të vendit, përkatësisht në Berat, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vlorë, në fillim të 2023-shit numri i të rinjve është më i vogël se numri i të moshuarve, shkruan “Panorama”.

Qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të rinjve janë ato të Kukësit dhe Dibrës, përkatësisht me 33.7 dhe 32 persona më të rinj se 15 vjet për 100 persona nga 15 deri në 64 vjeç.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, në janar të vitit 2023, në Shqipëri ishin 443.227 të rinj të moshës nën 15 vjeç dhe 454.496 të moshuar të moshës 65 vjeç ose më shumë. Popullsia në moshë pune (njerëz të moshës 15 deri 64 vjeç) ishin 1.864.062 persona gjatë të njëjtit vit.

Nga shpërndarja e popullsisë sipas tre grupmoshave kryesore, në katër qarqe ka më shumë të rinj krahasuar me të moshuarit (Dibër, Durrës, Kukës, Tiranë).

Qarqet me raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve janë ato të Gjirokastrës dhe Lezhës, respektivisht me 28 dhe 27.8 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 deri 64 vjeç.

Qarqet me raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve janë ato të Tiranës dhe Shkodrës, respektivisht me 22.8 dhe 23.4 persona më të vjetër se 65 vjeç për 100 persona nga 15 në 64 vjeç. (Irma)