Presidenti francez kërkon nga Izraeli të shmangë çdo përshkallëzim, sidomos në Liban
2024-01-04 11:28:58

Emmanuel Macron (Foto RTSH)

Emmanuel Macron (Foto RTSH)

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i kërkoi qeverisë izraelite që të shmangë çdo sjellje që mund të çojë në përshkallëzim, veçanërisht në Liban, pas sulmit në Bejrut, ku u vra komandanti i dytë i Hamasit. 

Macron, i cili foli me telefon me ministrin izraelit Benny Gantz, theksoi se është e nevojshme të shmanget çdo sjellje që mund të çojë në përshkallëzim, citon “RTSH”.

Numri dy i Hamasit, Saleh al-Aruri, u vra në një sulm që i atribuohet Izraelit në një periferi të Bejrutit, njoftoi lëvizja islamike palestineze dhe burime pranë autoriteteve libaneze.

Kjo ishte hera e parë që nga shpërthimi i luftës në Rripin e Gazës pothuajse tre muaj më parë që një sektor i kryeqytetit libanez u vu në shënjestër.

“Ky krim nuk do të mbetet pa përgjigje apo pa u ndëshkuar”,- bëri të ditur fraksioni i Hezbollahut libanez, një aleat i Hamasit.

Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, akuzoi Izraelin se po përpiqet të tërheqë Libanin në fazën e re të konfliktit.

Presidenti Macron bëri thirrje për një përpjekje për të shpallur një armëpushim të përhershëm midis Izraelit dhe Hamasit, me ndihmën e të gjithë partnerëve rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin e tij për numrin e lartë të viktimave midis civilëve dhe situatës së krizës humanitare në Gaza, ndërsa ripohoi edhe një herë angazhimin e Francës për sigurinë e Izraelit. (Elona)