Shqipëria ka përdorimin më të ulët të internetit për blerje online në Europë
2024-01-04 11:32:53

Banka e Shqipërisë (Foto RTSH)

Banka e Shqipërisë (Foto RTSH)

Tregtia online po shndërrohet në një instrument të zakonshëm në rutinën e blerjeve kudo në botë, por Shqipëria mbetet pas në këtë tregues për shkak të njohurive të dobëta në teknologji dhe mungesës së infrastrukturës që siguron akses të lehtë.

Një krahasim i Eurostat-it tregoi se më shumë se 50 për qind e popullsisë në Shqipëri nuk kishin blerë asnjëherë online gjatë vitit 2022. Ky ishte niveli më i lartë në Europë, ku vetëm një e gjashta e popullsisë së BE-së raportoi se nuk kishte blerë kurrë online, shkruan “Panorama”.

Në vitin 2022, rreth 56.1% e njerëzve të moshës 16-74 vjeç në BE konfirmuan se kishin bërë një blerje online gjatë tre muajve të mëparshëm. Në Shqipëri, vetëm 24 për qind konfirmuan se kishin bërë blerje në 12 muajt e fundit në anketën e vitit 2022.

Relativisht pak njerëz përdorin në mënyrë të rregullt tregtinë elektronike. Blerjet online ishin më të zakonshme për moshat e reja. Blerjet online janë më të zakonshme për Europën Qendrore dhe Veriore, ndërsa në Europën Juglindore dhe Turqi blerjet online nuk janë të zakonshme.

Në Suedi, Danimarkë, Norvegji dhe Irlandë, mbi 95% e popullsisë 16-74 vjeç kishin kryer blerje online.

Përdorimi i internetit për blerje u popullarizua shumë gjatë pandemisë Covid-19 kudo në Europë, por edhe në Shqipëri. Masat kufizuese nxitën njerëzit të plotësojnë nevojat për mallra online. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri pati rritje të blerjeve online, çka nxiti përdorimin e teknologjisë edhe në shitjet me pakicë. (Elona)