Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat, mbi 76 mijë vizitorë në 2023-shin
2024-01-04 11:19:48

Onufri (Foto ATSH)

Onufri (Foto ATSH)

Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh gjatë vitit 2023. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën të ditur se viti 2023 shënoi një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve në muzeun. Nga janari deri në dhjetor, ky muze u vizitua nga 76 052 vizitorë vendas e të huaj, ndërsa në 2022-shin ky muze u vizitua nga 39 052 vizitorë, pra 95% më shumë, shkruan “ATSH”.

Sipas Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, kjo rritje ridimensionon gjithë punën në promovimin e trashëgimisë artistike, por edhe ruajtjen e saj nga efektet që vijnë nga kjo rritje e vizitueshmërisë.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtërve të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ngritur mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë. (Elona)