BSH: Pagesat elektronike arritën në 57% të totalit të trasnfertave bankare
2024-01-04 11:31:36

Blerje online (Foto Panorama)

Blerje online (Foto Panorama)

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, pagesat elektronike shënuan rritje gjatë vitit 2023. Nga rreth 3.45 milionë transferta kreditimi të kryera nga klientët e sektorit bankar në tremujorin e tretë, 58.5% e tyre ose më shumë se dy milionë veprime në total u kryen në formë elektronike, shkruan “ATSH”.

Sipas BSH-së, pagesat elektronike përbënin 56% të numrit total të transfertave bankare të kreditimit në 3-mujorin e tretë. Për të gjithë 9-mujorin 2023, pesha e pagesave elektronike arriti në 57% të totalit të trasnfertave.

Transfertat në formë elektronike përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, kryesisht nëpërmjet shërbimeve të “internet banking” dhe “mobile banking”.

Zhvendosja e transfertave bankare drejt kanaleve elektronike shënon një pikë të rëndësishme kthese në marrëdhënien e publikut shqiptar me shërbimet bankare. Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë.

Që prej qershorit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.

Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. (Elona)