Qeveria shqiptare do të rritë kapacitetet dhe sigurinë e shërbimeve publike online
2024-01-04 15:11:23

E -Albania (Foto Panorama)

E -Albania (Foto Panorama)

Infrastruktura digjitale e qeverisë pritet të sigurojë mbi 91 milionë euro financime në dy vitet në vijim, për rritjen e kapaciteteve dhe sigurisë së shërbimeve publike online.

Projektet u njoftuan nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve që synon të rrisë zhvillimin socio-ekonomik të Ballkanit, shkruan “Panorama”.

Projekti i parë me vlerë 64 milionë euro synon performancë më të lartë për të dhënat e qeverisë dhe sigurimin e një rrjeti më të sigurt të shkëmbimit të informacionit për ndërveprueshmërinë rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Nga totali i financimit prej 64 milionë eurosh, 38.7 milionë euro do të sigurohen nga kredia e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 18.3 milionë euro do të sigurohen nga angazhimet e donatorëve të tjerë nga nisma e WIBF, 4 milionë euro financime nga qeveria shqiptare.

Projekti është në fazë përgatitore deri në dhjetor 2024.

Projekti i dytë është “Zgjerimi i Rrjetit Qeveritar (GovNet)” për të siguruar komunikim më të shpejtë, të besueshëm dhe të sigurt ndërmjet ofruesve të shërbimeve shëndetësore, me një vlerë 27 milionë euro, dhe do të jetë në fazë përgatitje deri në vitin 2026.

Ky projekt do të financohet në masën 19 milionë euro me një kredi të BERZH-it dhe rreth 7 milionë euro do të angazhohen nga korniza e investimeve për Ballkanin WIBF.

Në 5 vitet e fundit, qeveria shqiptare ka bërë zhvendosje të madhe të shërbimeve të saj online me internet duke shmangur aksesin fizik në zyra. Mirëpo dëmet që qytetarët kanë pësuar nga dekonspirimi i të dhënave qenë të mëdha. Sulmet kibernetike ndaj sistemeve qeveritare në dy vitet e fundit bënë publike të gjitha të dhënat e shqiptarëve që kishin të bënin me të informacionin personal, atë mbi pronat deri te llogaritë bankare. (Elona)