Turqia arreston dhjetëra persona, të dyshuar si spiunë izraelitë
2024-01-04 11:27:25

Polic turk (Foto Panorama)

Polic turk (Foto Panorama)

Autoritetet turke kanë arrestuar 33 të dyshuar për spiunazh për shërbimin izraelit të zbulimit Mossad, duke i akuzuar ata për vënien në shënjestër të shtetasve të huaj që jetojnë në Turqi, bën të ditur “Panorama”.

Autoritetet turke bastisën 57 pika të ndryshme në Stamboll dhe shtatë krahina të tjera të Turqisë, si pjesë e një operacioni të quajtur “Urithi”, të kryer nga Zyra e Kundërterrorizmit pranë Zyrës së Prokurorit të Stambollit dhe Shërbimit Turk të Zbulimit, njoftoi ministri i Brendshëm turk, Ali Jerlikaja.

Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”, autoritetet janë në kërkim edhe të 13 personave të tjerë.

Operacioni u ndërmor disa javë pasi shefi i Shërbimit të Brendshëm të Zbulimit në Izrael pranoi përmes një audio-incizimi se organizata e tij ishte e gatshme të shkatërronte Hamasin në çdo vend, përfshirë Libanin, Turqinë dhe Katarin.

Në dhjetor, zyrtarët në Turqi paralajmëruan Izraelin për pasoja serioze nëse do të ndiqte pjesëtarët e grupit militant Hamas që jetojnë në Turqi. (Elona)