Bonusi i bebes, 2.2 miliardë lekë edhe në vitin 2024
2024-01-03 10:20:10

Bebe (Foto ATSH)

Bebe (Foto ATSH)

Programi i bonusit të bebes do të mbështetet edhe gjatë këtij viti nga qeveria shqiptare. Një fond prej 2.2 miliardë lekësh ose 0.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto është parashikuar në buxhetin e vitit 2024, bën të ditur “ATSH”.

Programi i bonusit të bebes ka hyrë në fuqi prej datës 1 janar të vitit 2019. Ky program për 5 vitet e fundit ka ofruar mbështetje për pothuajse 200 mijë familje, që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre.

Konkretisht janë 38 mijë bonuse të shpërndara në vitin 2019, 36 mijë në 2020-n, 44 mijë në vitin 2021-shin, 43 mijë në 2022-shin dhe rreth 29 mijë bonuse në 6 muajt e parë të 2023-shit.

Sipas ndryshimeve në ligjin për asistencën sociale të miratuara në tetor 2023, bonusi i bebes do të përfitohet vetëm nga familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri.

Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke iu dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve. (Elona)