Projektet për 2024-n, Veliaj: Tiranës i shtohen 3 linja me autobusë elektrikë
2024-01-03 14:12:34

Erion Veliaj (Foto ATSH)

Erion Veliaj (Foto ATSH)

Bashkia e Tiranës është në fazën e konceptimit të projektit për zhvillimin e kopshtit botanik. Kryebashkiaku Erion Veliaj, duke njoftuar mbi projektet për Tiranën në vitin 2024, tha se qëllimi është që kopshti botanik mos të mbetet i izoluar, por të zhvillohet njësoj si kopshti zoologjik, citon “ATSH”.

“Jemi duke konceptuar kopshtin botanik, sepse mendoj se i mungon kryeqytetit. Një kombinim i vizitës së kopshtit zoologjik me kopshtin botanik do të ishte një eksperiencë unike. Ajo që ndryshoi në kopshtin zoologjik që e bëri të vizitueshëm është diçka që mund ta bëjmë fare mirë edhe te kopshti botanik”,- tha Veliaj. Ndërkohë, kryebashkiaku tha se Tiranës do t’i shtohen edhe 3 linja urbanësh elektrikë. “Projekti më i madh strategjik është ai që firmosëm këtë javë. Firmosëm me Bankën Gjermane të Zhvillimit dhe BE-në një kontratë ku 50 milionë janë kredi dhe 30 milionë janë grant dhe do të kemi tri linja autobusësh”, - tha Veliaj. (Elona)