Paketa e re fiskale, ashpërsohen gjobat për subjektet që nuk paguajnë në kohë tatim fitimin
2024-01-03 10:34:46

Tatimet (Foto RTSH)

Tatimet (Foto RTSH)

Paketa fiskale e vitit 2024 ka sjellë jo shumë ndryshime krahasuar me vitet e tjera. Ndryshime ka pasur në ligjin për akcizat, duke synuar të kufizojë rritjen e akcizës me normën e inflacionit, rregull i vendosur në vitin 2021.

Pas ndryshimeve të bëra, akciza për karburantin, për pijet alkoolike, për kafen apo për produktet energjetike nuk do të rritet bazuar në normën e inflacionit, por vetëm 1.5%, bën të ditur “RTSH”.

Kurse për produktet dhe nënproduktet e duhanit, akciza do të vazhdojë rritjen e parashikuar.

Ligji i dytë që ndryshon është ai i procedurave tatimore, që synon ashpërsimin e gjobave për bizneset që nuk plotësojnë në kohë detyrimet për të paguar këstet e tatim fitimit korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe shkon në 500 mijë lekë gjoba për bizneset e mëdha që nuk lëshojnë faturë tatimore.

Po ashtu, janë vendosur një sërë rregullash për shkëmbimin e informacionit me autoritetet tatimore homologe, në mënyrë që të sigurohet informacion periodik nga kompanitë mëmë të grupeve ndërkombëtare që kanë degë apo filiale që operojnë në Shqipëri.

Ndryshime ka pësuar  ligji për “Taksat kombëtare”, që  rrit taksën e karbonit për qymyrin nga 3 lekë/kg qymyr që ishte në 2023-shin, në 15.3 lekë/kg deri në vitin 2030.

Rritja e taksës pas ndryshimeve që u bënë në Komisionin e Ekonomisë hyn në fuqi në korrik të vitit 2026 dhe jo në janar 2024.

Nga taksa preken industria e çimentos, ajo e çelikut, si dhe industria e prodhimit të ferro-kromit. (Elona)