Investimet publike për 2024-n llogariten 128.5 miliardë lekë
2024-01-03 09:56:10

Investime (Foto ATSH)

Investime (Foto ATSH)

Investimet publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 128.5 miliardë lekë (duke përfshirë edhe fondin e rindërtimit në shumën 7 miliardë lekë).

Në planifikimin e investimeve për vitin 2024 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, shkruan “ATSH”.

Gjatë vitit 2024 do të nisë puna për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës. Zgjerimi i kësaj rruge është parashikuar të jetë e ndarë me faza. Po ashtu, për shkak të fluksit turistik gjatë muajve të verës, në buxhetin e vitit 2024 parashikohet edhe financimi i një projekti që rregullon aksin e Ksamilit dhe shmang trafikun. Projekti parashikon zgjerimin e tij me një korsi emergjence dhe në krahun tjetër, në drejtim të detit do të bëhet një shëtitore që të funksionojë për biçikletat, skuterat dhe një pedonale. Brenda këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon që të kenë përfunduar Unaza e Tiranës dhe tuneli i Llogarasë. Po ashtu është parashikuar përfundimi i rrugës Korçë-Ersekë. I aksesueshëm për përdoruesit e rrugës gjatë 2024-s do të jetë edhe aksi Thumanë-Kashar, ndërkohë që do të nisin punimet edhe për segmentet e tjera Thumanë-Milot, Kashar-Lekaj, Lekaj-Rrogozhinë dhe Milot-Balldren.

Për tre vitet e ardhshme, kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit janë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, rrugës Milot – Morinë dhe rrugës Orikum – Dukat. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se projektet kryesore për periudhën afatmesme janë tuneli i Llogarasë, porti detar i Durrësit “Porto Romano”, hekurudha Tiranë-Rinas dhe linja Tiranë-Durrës. (Elona)