Shoqata Mjekësore Turke paralajmëron për epidemi gripi, kërkon përdorimin e maskave
2024-01-03 16:05:34

Maskat (Foto Menafn)

Maskat (Foto Menafn)

Shoqata Mjekësore Turke ka paralajmëruar për përshkallëzimin e mundshëm të një epidemie gripi në të gjithë vendin, duke kërkuar përdorimin e maskave në transportin publik.

“Ka intensitete të pazakonta në urgjencat e spitaleve në mbarë vendin për shkak të epidemisë së gripit”,- bëri të ditur shoqata në një letër paralajmëruese dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan “Xinhua”.

“Për sa kohë që epidemia nuk shuhet, shëndeti i shoqërisë dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor është në rrezik nëse nuk merren masat e nevojshme”,- thuhet në letër.

Shoqata gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve përkatëse që të shpërndajnë maska falas dhe të promovojnë përdorimin e maskave në mjetet publike.

Një ekspert turk po ashtu ka paralajmëruar se një epidemi gripi po përhapet në të gjithë Turqinë. “Sidomos në dy javët e fundit kemi hasur shpesh infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Pothuajse të gjitha shkaktohen nga viruset”,- tha Celalettin Kocaturk. Sipas Kocaturk, këto viruse kanë potencialin të shkaktojnë vdekje te të moshuarit dhe tek ata me sëmundje të tjera.

Ai u bëri thirrje njerëzve që të mbajnë maska në ambiente të mbyllura, të respektojnë rregullat e higjienës dhe të shmangin dërgimin e fëmijëve të sëmurë në shkollë. (Elona)