Rekord turistësh në Apoloni, rritje me 40% e numrit të vizitorëve
2024-01-03 11:16:37

Apolloni (Foto ATSH)

Apolloni (Foto ATSH)

Ndërkohë që Shqipëria ka tejkaluar shifrën e 10 milionë turistëve në vitin 2023 duke shënuar një rekord historik në turizëm, është shtuar po ashtu edhe interesi i vizitorëve për sitet arkeologjike në vend.

Gjatë vitit të kaluar, Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga mbi 82 mijë turistë, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.

Drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj, tha për “ATSH”-në se të dhënat tregojnë se është rritur me 40% numri i vizitorëve si vendas edhe të huaj. Duke analizuar statistikat e numrit të turistëve, Durmishaj u shpreh se Parkun Arkeologjik të Apolonisë e kanë vizituar 49.884 të huaj dhe 32.090 shqiptarë.

Sa u përket turistëve të huaj, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë tha se numri i vizitorëve nga vendet europiane ishte i madh.

“Përqindjen më të lartë të vizitorëve e kanë turistët gjermanë, francezë, italianë e spanjollë”,- theksoi ajo.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdha të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. (Elona)