Sondazhi: Shqetësim për buxhetet e mbrojtjes rekord të ShBA-së dhe Japonisë
2024-01-02 20:10:40

Buxhetet e mbrojtjes të ShBA-së dhe të Japonisë për vitin 2024 kanë krijuar rekord historik, duke i shtuar më shumë  tensionet. Sipas një sondazhi global të kryer nga CGTN, 93 për qind e të pyeturve ishin thellësisht të shqetësuar, duke besuar se rritja e paarsyeshme e shpenzimeve ushtarake të ShBA-së dhe të Japonisë do të destabilizojë paqen rajonale dhe do të shkaktojë një raund të ri të garës së armatimeve në Azinë Lindore, dhe madje edhe në botë. Një përdorues i internetit tha: "Përpjekjet e ShBA-së dhe Japonisë për të fuqizuar ndikimin e tyre ushtarak mund të shkaktojë shqetësimin e superfuqive të tjera të mëdha. Kjo mund të kërcënojë qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rajonit në Azi."

Në vitin 2023, shpenzimet ushtarake globale vazhduan të rriteshin. Sipas një raporti të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkimin e Paqes i Stokholmit në Suedi, shpenzimet ushtarake globale arritën në 2.2 trilion dollarë në vitin 2022, duke shënuar vitin e tetë radhazi të rritjes dhe duke krijuar një nivel të ri të lartë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Lidhur me këtë, 89.3 për qind e të pjesëmarrësve globalë në sondazhin e CGTN-it ishin thellësisht të shqetësuar se rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake globale jo vetëm do të kërcënojë paqen, por edhe do të përkeqësojë më tej sfidat e sigurisë globale. 87.2 për qind e të pyeturve ishin thellësisht të shqetësuar për lulëzimin e tregut global të tregtisë së armëve, duke besuar se kjo do të rrisë rrezikun e konflikteve rajonale dhe do të nxisë konfrontimin në grup apo edhe konfliktet globale. Një përdorues interneti u ankua në mesazhin e tij: "Ne jemi kthyer në epokën e Luftës së Ftohtë, Perdes së Hekurt dhe garës së armatimeve".

Gara globale e armatimeve po intensifikohet. ShBA-ja është tërhequr nga Traktati i Raketave Antibalistike (ABM) dhe Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), dhe Rusia, ShBA-ja dhe NATO kanë njoftuar tërheqjen e tyre nga Traktati për Forcat e Armatosura Konvencionale në Evropë (CFE), prandaj 83 për qind e të anketuarve globalë janë të zhgënjyer për këtë, ndërsa 91.1 për qind janë të shqetësuar se një dështim i ekuilibrave midis fuqive të mëdha në komunikimin ushtarak dhe kontrollin e armëve do të minonte besimin në kontrollin global të armëve dhe do të përkeqësonte rreziqet ndaj sigurisë globale.

Në këtë skenë, njerëzit presin paqen. Në sondazh, 95.6 për qind e të pyeturve besojnë se siguria e një vendi s’mund të arrihet në kurriz të sigurisë së të tjerëve dhe siguria rajonale s’mund të garantohet nga forcimi  ose zgjerimi i blloqeve ushtarake dhe se çdo vend duhet të mbajë parasysh shqetësimet e arsyeshme të vendeve të tjera mbi sigurinë kur kërkon sigurinë e vet. 96.2 për qind thanë se nuk ka fitues nga luftërat dhe se të gjitha vendet duhet t'i përmbahen qëndrimit të kundërshtimit ndaj luftërave dhe të mbajnë një shkallë të lartë vigjilence ndaj çdo akti lufte, si dhe ndaj rreziqeve të mundshme të luftës, dhe duhet të promovojnë ndërtimin e një bote me siguri të përbashkët dhe universale.

Sondazhi u publikua në platformat e gjuhëve angleze, spanjolle, franceze, arabe dhe ruse të CGTN-it, me 33 984 përdorues interneti që votuan dhe shprehën mendimet e tyre brenda 24 orëve. (Çang Çuo)