Liderët e Kinës dhe ShBA-së shkëmbejnë urime për 45-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve
2024-01-01 12:56:48

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden kanë shkëmbyer mesazhe urimi për 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Xi Jinping-u theksoi në mesazhin e tij të urimit se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është një ngjarje madhore në historinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjatë 45 viteve të fundit, marrëdhëniet kino-amerikane kanë kaluar ulje-ngritje, por në përgjithësi ato kanë ecur përpara, gjë që jo vetëm ka rritur mirëqenien e të dy popujve, por edhe ka promovuar paqen, qëndrueshmërinë dhe lulëzimin botëror. Historia ka dëshmuar dhe do të vazhdojë të dëshmojë plotësisht se respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta është mënyra e duhur që Kina dhe Shtetet e Bashkuara të bashkëjetojnë si dy fuqi të mëdha dhe duhet të bëhen drejtimi i përpjekjeve të përbashkëta të Kinës dhe të Shteteve të Bashkuara në epokën e re, tha Xi.

Ai theksoi më tej se takimi që pati me presidentin Biden në San-Francisko hapi “Vizionin e San-Franciskos” për të ardhmen, duke vënë në dukje drejtimin e zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane. Të dyja palët duhet të zbatojnë me ndërgjegje konsensusin dhe rezultatet e rëndësishme të arritura nga të dy krerët dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të marrëdhënieve kino-amerikane.

“Jam i gatshëm të punoj me Presidentin Biden për të vazhduar të drejtojmë marrëdhëniet kino-amerikane, për të sjellë përfitime si për Kinën, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe për të dy popujt, duke promovuar paqen dhe zhvillimin botëror,” theksoi Xi.

Ndërsa presidenti amerikan Biden vuri të dukje në mesazhin e tij të urimit se, që nga vendosja e lidhjeve diplomatike në vitin 1979, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë promovuar begatinë dhe kanë krijuar mundësi për Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe botën. “Unë jam i përkushtuar për t’i menaxhuar me përgjegjësi këto marrëdhënie të rëndësishme dhe mezi pres t’i çojmë përpara marrëdhëniet dypalëshe kino-amerikane mbi bazën e ndërtuar nga liderët e të dy vendeve tona në të kaluarën dhe konsensusit të arritur nga ne të dy gjatë bisedimeve dhe takimeve të shumta,” tha Biden.