Qeveria polake merr ndihmë prej 5.6 miliardë dollarë nga BE-ja
2023-12-30 17:31:50

Flamujt e BE-Poloni (Foto Atsh)

Flamujt e BE-Poloni (Foto Atsh)

Pas ndryshimit të qeverisë, Polonia ka marrë një paradhënie prej 5 miliardë eurosh (5.6 miliardë dollarë) nga programi i ndihmës së BE-së për koronavirusin, e bllokuar prej kohësh.

“Transferta e parë evropiane tashmë është në llogarinë e shtetit polak. Mbi 20 miliardë zloti, siç u premtua”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri polak Donald Tusk, përcjell “ATSH”.

Ministrja për Zhvillimin Rajonal, Katarzyna Pełczyńska-Nałęcz, deklaroi se paratë do të shkojnë për zgjerimin e energjive të rinovueshme.

Komisioni Evropian më parë kishte pezulluar fondin për Poloninë për shkak se qeveria nacional-konservatore kishte minuar sistemin gjyqësor.

Gjatë fushatës zgjedhore, Tusk u premtoi polakëve një rivendosje të marrëdhënieve miqësore me BE-në për të liruar ndihmën e bllokuar.

Ish-kryeministri Mateusz Morawiecki, nga partia nacional-konservatore PiS, e hodhi poshtë transferimin. Morawiecki, i cili u largua nga detyra në mes të dhjetorit, tha në “X” se vendimi i ministrave të Financave të BE-së për të paguar fondet ishte marrë përpara se Tusk të merrte detyrën.

Lëshimi i fondeve shihet në Bruksel si një votë besimi ndaj koalicionit tripalësh pro-evropian të Tusk. Megjithatë, qeveria e re duhet të tërheqë reformat e diskutueshme në drejtësi. Përndryshe, Polonia do të duhet të paguajë paradhënien. (Irma)