OKB: Rreth 40% e popullsisë palestineze rrezikohet nga uria
2023-12-30 17:53:30

CFP

CFP

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë bëri të ditur se 40% e popullsisë së Gazës tani është në rrezik nga uria. Në një postim në mediat sociale, agjencia ngriti alarmin se Gaza po përballet me krizën e urisë dhe bëri të ditur se ka nevojë për më shumë ndihmë.

“E vetmja shpresë e mbetur është një armëpushim humanitar”, -shkroi agjencia e OKB-së, ndërsa shtoi se çdo ditë është një luftë për mbijetesë për gjetjen e ushqimit dhe të ujit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, numri i viktimave arrin në mbi 21 mijë, ku shumica e tyre janë gra, fëmijë dhe të moshuar.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se trupat tokësore dhe ajrore izraelite kryen operacione kundër Hamasit në qytetin e Gazës, duke shkatërruar infrastrukturën e përdorur nga grupi militant.

Ushtria njoftoi se ka shkatërruar infrastrukturën e Hamasit brenda një ndërtese, ndërsa një vend lëshimi raketash antitank ku ndodheshin militantët u godit nga Forcat Ajrore izraelite në koordinim me ato tokësore, shkruan “RTSH”.

Zëdhënësja e kryeministrit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli do të vazhdojë të kërkojë çdo rrugë për të siguruar lirimin e pengjeve.

“Vetë ekzistenca e Hamasit është një kërcënim për mënyrën e jetesës së Izraelit. Ne do të vazhdojmë të eksplorojmë çdo rrugë për të siguruar lirimin e pengjeve dhe shpërbërjen e këtij regjimi terrorist”,- tha ajo.

Zëdhënësja theksoi se Izraeli nuk dëshiron të nisë një luftë me Hezbollahun, por mbetet i vendosur për të zhdukur çdo kërcënim në veri të vendit. (Irma)