INSTAT: U rrit me 8.5% importi i ushqimeve në 2023-shin
2023-12-29 15:27:08


Foto nga VCG

Deficitet në prodhim dhe rritja e kostove po i bën gjithnjë e më shumë prodhimet vendase jo konkurruese. Të dhënat e INSTAT-it nga tregtia e jashtme tregojnë se në 11-mujorin e 2023-shit importet e ushqimeve në sasi shënuan rritje vjetore me 8.5%, ndërsa eksportet e ushqimeve në sasi mbeten në vendnumëro me rritje vetëm 0.7%, shkruan “Panorama”.

Gjatë 11-mujorit, importet e ushqimeve ishin 2.8 herë më të larta se eksportet, ndërsa në të njëjtën periudhe të vitit 2022 ky raport ishte 2.6%.

Tkurrja e prodhimit në njërën anë dhe rritja e kërkesës nga prurjet e mëdha turistike po rigjenerojnë kanalet e importit, të cilat me gjasë mund të ndikojnë në dobësimin e mëtejshëm të prodhimit.

Në disa kategori, sidomos në bulmet, importet shpesh po vijnë me çmime konkurruese me prodhimet vendase. Kjo konkurrencë ndihmohet edhe nga një mendësi e konsumatorëve shqiptarë që besojnë më shumë te produktet e huaja se tek ato të vendit.

Përgjatë dekadës së kaluar, eksportet e prodhimeve shqiptare në sasi janë rritur më shumë se importet. Kjo ecuri është ndihmuar nga zgjerimi i investimeve në kanalet eksportit, grumbullim, magazinim dhe transport.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, hendeku në tregtinë e jashtme të ushqimeve u reduktua ndjeshëm. Në vitin 2012, importet e ushqimeve ishin 6 herë më të larta se eksportet, ndërsa vitin e kaluar 2.6 dhe këtë vit 2.8. (Elona)