Ministri Hasani: Shqipëria, gati për konferencën e dytë ndërqeveritare
2023-12-29 10:58:47

Foto nga Albania Daily News

Shqipëria është gati për konferencën e dytë ndërqeveritare dhe në fillim të vitit 2024 do të ketë lajme të mira për avancimin e mëtejshëm të këtij procesi. Deklarata u bë nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në konferencën e fundvitit, ku vlerësoi ekipet diplomatike për punën e arritur gjatë këtij viti, citon “RTSH”.

“Gjatë 2023-shit ia dolëm të kemi performancë dinjitoze mbi çështje më të mprehta që prekin botën. Ne gëzojmë sot respektin dhe admirimin e miqve dhe aleatëve tanë në NATO. Puna e Shqipërisë për të thelluar reformat europianizuese, roli konstruktiv në rajon janë vlerësuar si model suksesi për gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është sot gati për konferencën e dytë ndërqeveritare sipas vlerësimeve të KE-së, vendeve anëtare dhe konkluzioneve të këshillit të datës 12 dhjetor. Në fillim të 2024-s presim të kemi lajme të mira për avancimin e mëtejshëm të këtij procesi”,- tha kryediplomati shqiptar, ndërsa u ndal më tej te Samiti i Diasporës i mbajtur më 22-23 nëntor në Tiranë.

Ministri Hasani deklaroi se gjatë 2024-s, fokusi do të jetë mbi konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të diasporës me faktorin shqiptar. (Elona)