Inteligjenca artificiale-AKSHI, tender 2.6 milionë euro për projektin që lidhet me BE-në
2023-12-29 11:36:28

Foto nga VCG

Qeveria shqiptare synon të përdorë inteligjencën artificiale në disa procese pune të administratës publike që kanë si synim përafrimin e disa aspekteve ligjore e rregullatore të kuadrit shqiptar me atë të BE-së. 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit çeli këtë të enjte tenderin me një fond limit prej 279 milionë lekë apo rreth 2.6 milionë euro me objekt “Përdorimi i inteligjencës artificiale në procesin e transpozimit të “aqcuis” për integrimin evropian”.

Në dokumentet e procedurës nënvizohet se objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është implementimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale në institucionet publike me qëllim përshpejtimin e procesit të transpozimit të akteve të BE-së, sqaron “Panorama”.

Ofrimi i këtij shërbimi do të mundësojnë automatizimin, grumbullimin, seleksionimin e të gjitha akteve/ligjeve të sjella nga BE-ja dhe aksesimin e këtyre kodeve në çdo kohë dhe nga çdo pajisje nga të gjithë aktorët e përfshirë në këto procese.

Konkretisht, ky automatizim, sipas AKSHI-t, përfshin shtimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale në institucionet publike për menaxhimin e kërkesave dhe dhënies së informacioneve të dëshiruara, të marra nga aktet e BE-së ndaj të gjithë përdoruesve të platformës përgjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij projekti. (Elona)