Më shumë para për degët prioritare, 100 kuota për studentët e shkëlqyer
2023-12-29 10:35:15

Foto nga UT

Aplikimet e studentëve ekselentë dhe ato të degëve prioritare për t‘u mbështetur me bursë nga shteti janë mbyllur në 10-ditëshin e  dytë të muajit dhjetor.

Drejtori i Agjencisë së Financimit të Arsimit të Lartë, Artan Spahiu, sqaron se me mbylljen e aplikimeve, universitetet do të bëjnë përzgjedhjen e studentëve, citon “RTSH”. Ndërkohë, Ministria e Arsimit këtë vit ka dyfishuar financimin nga buxheti i shtetit për mbështetjen financiare të kësaj kategorie studentësh.

“Janë miratuar kuotat për universitetet, janë miratuar fondet, janë në dispozicion 310 kuota nga 157 që ishin vitin e kaluar. Tashmë është radha e universiteteve dhe senateve akademike përkatësisht që të bëjnë shpërndarjen e kuotave”,- tha Spahiu.

Spahiu sqaroi se për të marrë pagesën çdo muaj, studentët ekselentë, por edhe ata të degëve prioritare duhet që të ruajnë rezultatet dhe të punojnë në administratë 3 vite gjatë një periudhe 6-vjeçare.

“Studentët ekselentë, për të ruajtur apo për të vijuar financimin në vitet pasardhëse akademike, duhet të ruajnë mesataren 9.5. Ndërsa studentët që studiojnë në degët prioritare nuk ka nevojë të ruajnë notën mesatare në vitet në vijim”,- tha ai.

Numrin më të madh të bursave do ta përfitojë Universiteti Bujqësor, pasi ai ka numrin më të madh të studentëve të regjistruar në degët prioritare, duke u pasuar nga Universiteti i Tiranës, ai i Durrësit dhe i Korçës. (Elona)