Gjermania dhe BE-ja, mbështetje transportit të gjelbër në Tiranë me 81.2 milionë euro
2023-12-29 15:00:56

Foto nga RTSH

U nënshkrua të enjten marrëveshja e financimit për projektin e transportit të gjelbër në Tiranë, në vlerën 50 milionë euro. Huaja u akordua nga qeveria gjermane nëpërmjet Bankës për Zhvillim “KfW”, si dhe një grant prej 31.2 milionë eurosh, i akorduar nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor për këtë qëllim, bën të ditur “RTSH”.

Firmat u hodhën nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe drejtoresha e KfW në Shqipëri, Brit Horschke. 

Kostoja totale e parashikuar e projektit është 110.37 milionë euro. Pjesa tjetër e financimit do të mbulohet nga Bashkia e Tiranës, në vlerën 29.17 milionë euro.

Projekti përfshin zbatimin e një sistemi tranziti të shpejtë me autobus, duke përdorur autobusë me bateri-elektrikë në tri linja transporti në Tiranë (Unaza, Tirana e Re, Kombinat-Kinostudio). 

Qëllimi i projektit është përmirësimi i ofrimit të shërbimeve në transportin publik si dhe reduktimi i emetimeve të CO2, për të kontribuar në mbrojtjen e klimës dhe mjedisit, si dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë. (Elona)