Ministrja Kumbaro: Pritet të krijohet task forca për përmirësimin e strukturës për ujërat ndotëse në zonat turistike
2023-12-29 15:24:01

Foto nga ATSH

Qeveria shqiptare, nëpërmjet një akti normativ, ka vendosur krijimin e një task force të dedikuar për kontrollin e të gjitha subjekteve sidomos në zonat turistike, për të përmirësuar infrastrukturën e trajtimit të ujërave të ndotura që shkarkohen në det, lumenj apo liqene.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se vetëm 5% e ujërave larës kanë problematika të thella.

Sipas saj, një pjesë e madhe e lëvizjeve turistike në Shqipëri qarkullon në strukturat e shërbimit përgjatë zonave ujore.

Ministrja Kumbaro u shpreh se akti normativ vjen si propozim i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për të bërë një kontroll të rreptë në të gjithë territorin në bashkëpunim me të gjitha subjektet private, të cilat duhet të bëjnë akoma më shumë për përmirësimin e shërbimit dhe për të ruajtur standardet që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave ndotës, që krijohen nga shtimi i lartë i popullsisë në sezonin turistik. (Elona)