Viti i pyjeve/ Kumbaro: Nisim një plan pyllëzimi dhe ndërgjegjësimi në të gjithë Shqipërinë
2023-12-28 11:48:15

Foto nga RTSH

Nga Elbasani, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se viti 2024 do t’i dedikohet pyjeve, me fushata pyllëzimi, por mbi të gjitha ndërgjegjësimi dhe edukimi. Së bashku me kryetarin e bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Kumbaro ishte në zonën e Krastës ku ka nisur mbjellja e 15 mijë fidanëve të rinj, bën të ditur “RTSH”.

“Vitin 2024 e kemi vitin e pyjeve. Viti i pyjeve nuk do të thotë vetëm pyllëzim, por edhe masa të marra, me investime që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e pyjeve, siç janë masat parandaluese ndaj zjarreve. Edhe këto janë pjesë e të njëjtit program. Të ardhurat që nxjerrim nga ekonomitë pyjore, çdo bashki duhet t’i riinvestojë në planet e menaxhimit, por jo çdo bashki e ka bërë këtë gjë. Bashkitë janë administruese të pyjeve në territor. Në janar do të kemi një skanim të të gjithë situatës”,- tha Kumbaro.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, foli edhe për investimin në hidrantët ujorë në zonën e Krastës, që vitet e fundit ka qenë subjekt i zjarreve të vazhdueshme.

“Ky është hidranti i parë pyjor që ne bëjmë. Vendosja e tubacioneve kryesore të ujit për të furnizuar zjarrfikëset, por edhe që gjatë emergjencave uji të jetë sa më afër objekteve. Investimi përfundon në ditët e para të janarit”, - tha Llatja.

Në Krastë ka nisur mbjellja e 15 mijë fidanë pemëve, ndërsa deri në mars synohet mbjellja e 35 mijë pemëve në bashkinë e Elbasanit.

Më herët, Kumbaro ishte edhe në Librazhd, një ndër bashkitë me sipërfaqen më të madhe pyjore ku u mbollën 5 mijë pemë në Marinaj. (Elona)