Shqipëria nën sulme kibernetike, AKSHI: Faqet qeveritare janë rikthyer në normalitet
2023-12-28 10:16:23

Foto nga RTSH

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi se  Shqipëria pësoi sulme masive kibernetike. Në një njoftim zyrtar, AKSHI bën të ditur se situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë, citon “RTSH”.

Sipas AKSHI-t, sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike. 

Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.

AKSHI njofton se siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale.

Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti.

Pak ditë më parë Parlamenti shqiptar njoftoi se ekspertët e tij konstatuan një sulm kibernetik ndaj institucionit. Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë dhe tentativë për fshirje të të dhënave. Parlamenti njoftoi se nuk janë prekur të dhënat në sistem. (Elona)